Letër e hapur e organizatave mbi prioritetin që u duhet dhënë fëmijëve dhe të rinjve.
Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
I nderuar z. Kryeministër,
Ngjarjet tragjike të ndodhura muajt e fundit, përfshirë humbjen e jetës së të miturve në Tiranë, Fier, Gramsh dhe së fundmi në Maliq, të gjithë të vrarë nga bashkë-moshatarët e tyre, kanë tronditur thellë opinionin publik dhe kanë vënë në pah se mungesa e investimeve, kujdesit, arsimimit dhe shërbimeve të dedikuara për zhvillimin, mirëqenien dhe sigurinë e të rinjve tanë, ndikojnë në rritjen e kriminalitetit tek fëmijët dhe të rinjtë.
Apeli i Martinit dhe i çdo adoleshenti që kërkon më shumë mbrojtje dhe mundësi për të jetuar në paqe në Shqipëri vijon të na trokasë të gjithëve në dyert e ndërgjegjes! Një tjetër 14-vjeçar ka ndërruar jetë dje në Maliq të Korçës, duke na kujtuar edhe njëherë detyrimin që çdo njëri prej nesh për të qenë më pranë tyre. Ky fenomen, që gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e jetës sonë, vë në pikëpyetje të ardhmen e sigurt për fëmijët dhe brezat që do të vijnë pas tyre.
Kërkesat e përsëritura për më shumë investime për shërbime të kujdesit dhe të mbrojtjes sot marrin kuptim më shumë se kurrë, duke na detyruar të prioritizojmë me urgjencë masa që i japin mundësi konkrete fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve për të jetuar të mbrojtur dhe për të pasur akses të plotë në aktivitete që i largojnë nga dhuna dhe i afrojnë një të ardhme më të ndritur.
Ne besojmë se Qeveria e re e ka për detyrë morale mbi të gjitha, por edhe ligjore, që të vendosë mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në qendër të të gjithë ndërhyrjeve të saj. Ndaj, organizatat e poshtë-shënuara, ju drejtojnë këtë Letër të Hapur, si një thirrje që Qeveria e re të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe afatgjata, si më poshtë:
– Rritja e buxhetit kombëtar dhe e buxhetit të çdo bashkie për të mbështetur hapjen e programeve të reja kombëtare dhe vendore për fëmijët dhe të rinjtë – me fokus të veçantë për zonat rurale dhe komunitetet e vogla, ku mungesa e mundësive është më e ndjeshme. Ky buxhet duhet të jetë i verifikueshëm, duke garantuar fonde të dedikuara që zbatojnë drejtpërdrejt programet për të rinjtë në të gjithë vendin, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel bashkie.
–Ngritjen e Qendrave Multi-funksionale për Fëmijë dhe të Rinj në çdo bashki/njësi administrative ku banojnë mbi 3,000 fëmijë dhe të rinj – si hapësira të sigurta zhvillimi, ku ofrohen shërbime rinore të garantuara dhe të koordinuara, përfshirë mbështetjen psiko-sociale, edukative, kulturore dhe sportive. Bashkitë duhet të sigurojnë që qendrat për fëmijë dhe të rinj të jenë të pajisura me staf dhe shërbime të koordinuara me shkollat, universitetet, institucionet e arsimit profesional dhe programet e punësimit, duke garantuar një mbulim të plotë dhe akses të drejtpërdrejtë për komunitetet që kanë më shumë nevojë.
–Forcimi i mbështetjes, fuqizimit profesional dhe trajnimeve për psikologët dhe punonjësit socialë në çdo shkollë – për të rritur ndikimin që profesionistët e shëndetit mendor dhe mbështetjes shoqërore kanë në parandalimin e dhunës ndërmjet fëmijëve dhe të rinjve.
–Zbatimi i programeve të detyrueshme kundër bullizmit dhe dhunës (online dhe offline), të edukimit qytetar, të komunikimit ndërmjet njeri-tjetrit, tolerancës dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve në arsimin para-universitar, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, do të rriste ndikimin në formësimin pozitiv të fëmijëve dhe të rinjve. Nga ana tjetër, fuqizimi i punës dhe prezencës së policisë në komunitet, të trajnuar me aftësi për punën me fëmijët dhe të rinjtë, do të rriste parandalimin e krimeve ndërmjet adoleshentëve dhe të rinjve, si dhe krimit në komunitet dhe familje.
–Zbatimi i programeve për prindërit – për t’i pajisur me njohuri dhe aftësi në kuptimin e nevojave të fazës delikate të adoleshencës dhe ofrimin e mbështetjes efektive. Krijimi dhe mbështetja e Klubeve të Prindërve për klasë dhe shkollë, do t’i sillte prindërit më afër problematikave të fëmijëve, sidomos të adoleshentëve, kjo e kombinuar me shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, shërbimit psiko-social në shkollë dhe programe të tjera në shkollë.
–Përfshirjen aktive të fëmijëve dhe të rinjve në hartimin e politikave që lidhen me ta, përmes forcimit të Qeverive të Nxënësve, Këshillave Rinorë Vendorë, Parlamentit Rinor dhe nismave të tjera që organizatat e shoqërisë civile zbatojnë prej vitesh me sukses në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve. Kjo do të forconte jo vetëm demokracinë, por do të rriste përgjegjësitë përkundrejt fëmijëve dhe të rinjve për rolin e tyre në shoqëri.
I nderuar Z. Kryeministër,
Ne mendojmë se këto masa nuk janë vetëm investime për fëmijë dhe të rinj, por garanci për një të sotme dhe të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar për Qeverinë tuaj dhe vendin tonë. Çdo vonesë në marrjen e masave do të thotë një rrezik më i madh dhe më i shtuar për jetën, të ardhmen dhe stabilitetin social të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën dhe mbështetjen tonë për hapjen e programeve të reja kombëtare dhe rajonale për fëmijët dhe të rinjtë.
Me respekt,
Lista e organizatave që i janë bashkuar kësaj Letre të Hapur, vijon si më poshtë:
Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116111
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri – CRCA/ECPAT Shqipëri
Save the Children in Albania
Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt – iSIGURT.al
Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën – SHKEJ
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN
ESN Tirana – Rrjeti Erasmus në Shqipëri
Vizion OJF
Organizata AUTIZMIFLET “Club Kombëtar i Prindërve të Fëmijve me CSA &P.A.K.”
Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”
Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA
Shoqata Mbrojtje e Personave me Aftësi të Kufizuar – MEDPAK
BARNAHUS Shqipëri
Ambasada PINK
Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA)
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Kryqi i Kuq Shqiptar
Shoqata për Kulturë Demokratike (SHKD)
Parlamenti Rinor, Tiranë
Urdhri i Psikologut
Down Sindrome Albania
Recent Comments