Divizionet

Të nderuar anëtarë dhe kolegë,

E kemi nisur ndërtimin e Urdhrit me pak njerëz. Sot jemi shtuar jo vetëm në anëtarësi, por edhe me kolegë e miq të mirë, të cilët i janë bashkuar vizionit tonë. Shumë prej tyre vijojnë të kontribuojnë vullnetarisht.

Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, kemi kuptuar se sa shumë kolegë të përkushtuar e me largpamësi për profesionin ka mes nesh. Kolegë të mire, profesionistë, që punojnë në heshtje, pa reklamë, që nuk kanë synim fjalët e tepërta dhe që bëjnë punë të shkëlqyer për profesionin.

Sot, Urdhri I Psikologut ka nevojë për secilin nga Ju!

Një prej detyrave dhe qëllimeve tona të hershme ka qenë ngritja e divizioneve të profileve të ndryshme të psikologjisë brenda Urdhrit.

E kemi shtyrë në kohë këtë vendimmarrje, pasi financat tona të pakta nuk na lejojnë ngritjen e këtyre strukturave.

Pavarësisht kësaj, edhe pse U.P. është në vështirësi finaciare, kjo nuk duhet dhe nuk do të na pengojë në punën për të mirë të profesionit, ndaj mendojmë se ka ardhur koha që të nisim ngritjen e divizioneve me kolegë të mirë profesionistë, që dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht për realizimin e këtij hapi të rëndësishëm.

👉Divizionet janë struktura, të ndara sipas fushave të psikologjisë, të cilat duhet të ndihmojnë në zhvillimin e profesionit, p.sh.: në ngritjen dhe zgjidhjen e problematikave për profilin përkatës, hartimin e rregulloreve apo protokolleve të punës, pjesëmarrjen në grupet e punës apo tryezat e rrumbullakta për atë profil, takime me psikologët, vlerësimin e nevojave për trajnime, takime kombëtare dhe ndërkombëtare në nivel përfaqësimi të institucionit, si dhe çdo aspekt tjetër pune, që ka lidhje specifikisht me atë profil të psikologjisë.

Kushdo që dëshiron të na bashkohet në këtë nisëm vullnetare duhet:

Të dërgojë një kërkesë pranë U.P në të cilën të përcaktohet eksperienca profesionale dhe edukimi akademik në profilin e psikologjisë që dëshiron të kontribuojë.

Kërkesat janë të hapura për këdo anëtar të Urdhrit nga 25 shtator 2020 – 25 tetor 2020 dhe duhet të dërgohen me postë ose në adresën elektronike info@urdhriipsikologut.al

Të gjitha kërkesat do të shqyrtohen për të ngritur grupet e punës në bazë të profileve përkatëse:

– Psikologji e Shëndetit Mendor (psikoterapi, klinike, etj.)
– Psikologji Edukimi (shkollore, etj.)
– Psikologji Juridike (ligjore, forense, etj)
– Psikologji Pune dhe Organizacionale
– Psikologji Sociale dhe Komuniteti

Rrugë e gjatë na pret!👍

Valbona Treska