Urdhri i Psikologut ju informon se ditën e premte, datë 28.02.2020, në ambjentet e Hotel Klajdi Resort Durrës, u zhvilluan punimet e Asamblesë së IV-ët Kombëtare të Urdhrit të Psikologut.

Në këtë Asamble morën pjesë 94 anëtarë të Urdhrit të Psikologut dhe u morën këto vendime:

1. U miratuan me unanimitet nga të gjithë anëtarët e pranishëm në Asamble, ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Gjykimit Disiplinor Profesional, të miratuara më herët me vendimin nr.3, datë 31.01.2020 të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut.

2. U miratua me 93 vota pro dhe 1 votë kundër, Projekt- Buxheti për vitin 2020 të Urdhrit të Psikologut.

3. U miratua me 93 vota pro dhe 1 votë kundër Buxheti Faktik për vitin 2019 të Urdhrit të Psikologut.

Gjithashtu në këtë mbledhje u analizua puna vjetore e Urdhrit të Psikologut përgjatë vitit 2019, me të gjitha arritjet dhe problematikat e shfaqura, si dhe u shpalosën objektivat e institucionit tonë për të përmbushur për vitin 2020.

Gjatë punimeve të Asamblesë, pati edhe një hapësirë të lirë, për diskutime (pyetje-përgjigje), ku anëtarët e pranishëm patën mundësi të drejtonin shqetësimet dhe problematikat e hasura gjatë punës së tyre. Disa nga pikat kryesore të diskutimit ishin: procesi i Edukimit në Vazhdim, organizimi i Provimit të Shtetit, praktikat profesionale dhe marrëveshjet me supervizorët, kryerja e pagesave në bankë etj.

Falenderojmë të gjithë psikologët për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë!
Urdhri i Psikologut