Përshëndetje,

Shpresojmë mbi të gjitha të jeni mirë ju dhe të gjithë familjarët!

Kjo që po kalojmë është një situatë e vështirë dhe e panjohur për të gjithë, ndaj në këto kushte, është e rëndësishme që si profesionistë, të ruajmë së pari qetësinë tonë, të marrim sa më shumë informacione të vlefshme dhe të përditësuara mbi shëndetin mendor në kushtet që ndodhemi globalisht dhe të qëndrojmë në kontakt me njëri-tjetrin, në mënyrë që të gjendemi pranë kujtdo që ka nevojë për ne në këto ditë.

Më poshte gjeni një informacion të ardhur nga zyra qëndrore e Federatës Europiane të Psikologëve si dhe dy materiale të detajuara lidhur me efektet e karantinës.

Shumë faleminderit kolegëve që punuan për përkthimin e tyre, Znj.Elona Mustafaraj, Znj.Donika Maliqi, Znj.Aleksandra Puci, Znj.Valentina Telhaj, Z.Elton Kuqja, Znj.Adelina Pjetra dhe stafit të UP.

Ndihuni të lirë të shpërndani informacionin në faqet tuaja duke u kujdesur të vendosni referencat si dhe copyright të EFPA dhe UP.

 

Le të tregojmë mbështetje për të gjithë, të japim kurajo, të motivojmë e të nxisim optimizmin!
Asgjë nuk zgjat përgjithmonë dhe shpejt do ti kthehemi normalitetit!
 
Dhe pse jemi larg, jemi bashkë!

 

Dr.Valbona Treska

Presidente e Urdhrit Psikologut

______________________________________

 
 
Koronavirusi i ri, ose COVID – 19 është sot një problem i madh i shëndetit publik në të gjithë Europën. EFPA, si organizata europiane ombrellë për psikologët, ndan disa udhëzime dhe veprime që duhet të merren në konsideratë nga psikologët në organizatat e saj anëtare.

 

·                Sigurimi i mbështetjes psikologjike të linjës së parë

Si psikologë, ne shohim si  përparësinë tonë të parë  përdorimin e njohurive  psikologjike, për të ndihmuar të komunikojmë saktë në lidhje me virusin, me qëllim shmangien e ankthit të panevojshëm dhe për të mbështetur njerëzit që preken prej tij. Prandaj, disa këshilla të dobishme se si të komunikoni në lidhje me virusin dhe  tipe të  “Ndihmës së Parë Psikologjike” jepen më poshtë.

1.     Përgjigje ndaj situatës lokale: Meqenëse situata është shumë e ndryshme nga një vend në tjetrin, ju lutemi përshtatuni me situatën specifike të vendit tuaj. Prandaj ne inkurajojmë organizatat tona anëtare që të kontaktojnë me autoritetet e tyre lokale shëndetësore dhe të promovojnë vlerësimet dhe udhëzimet e tyre zyrtare.

2.     Jepni fakte: Ndihmoni njerëzit të sigurohen se po marrin faktet e duhura. Qeveritë po japin informacione objektive në lidhje me virusin në vendin tuaj përmes faqeve të internetit ku mund t’i referoheni. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e  Sëmundjeve  (ECDP) ka një faqe në internet të veçantë për  Koronavirusin, e cila jep përditësime të rregullta. 

3.     Komunikoni me fëmijët: Diskutoni situatën e re në lidhje me koronavirusin duke treguar të drejtën dhe përshtasni infomacionin në lidhje me moshën e fëmijës. Prindërit gjithashtu mund të ndihmojnë në qetësimin e ankthit duke i përqëndruar fëmijët në rutinat dhe oraret e reja. Mos harroni se fëmijët vëzhgojnë sjelljet dhe emocionet e prindërve për të mësuar  se si të menaxhojnë emocionet e tyre gjatë kësaj kohe.

4.     Mbani kontakte (të shëndetshme): Ruajtja e kontakteve sociale mund të sigurojë një ndjenjë normaliteti dhe të ndihmojë në shkëmbimin e emocioneve apo në lehtësimin e stresit. Inkurajojini njërëzit të shkëmbejnë me miqtë dhe familjarët informacione të vlefshme nga faqet zyrtare të qeverisë. Në raste të karantinës, individët mund të ruajnë kontaktet nga distanca.

5.     Përballja  me karantinën: Prof.Atle Dyregrov, anëtar i komitetit të Krizave, Traumave dhe Fatkeqësive ka shkruar një tekst i cili përban një informacion të vlefshëm sesi mund të përballen individët me karantinën. Lancet gjithashtu ka publikuar një përmbledhje mbi impaktin e karantinës dhe si mund të reduktohet stresi gjatë saj. (referojuni)

6.     Mbështesni individët të kërkojnë ndihmë shtesë: Individët të cilët ndjejnë nervozizëm, mërzitje të zgjatur dhe reagime të tjera, të cilat prekin performancën e tyre të punës dhe marrëdhëniet ndërpersonale, duhet të konsultohen me një specialist të shëndetit mendor.

7.     Promovoni sigurinë:  njerëzit mund të jenë të sigurtë nesë ndjekin udhëzimet  për  mbrojtjen personale, higjenizimin e mjedisit, izolimin dhe masat për udhëtimet.

 

·       Udhëzuesi për ofrimin e konsultave online si një vlerë e shtuar gjatë periudhës së karantinës dhe izolimit social: EFPA COVID-19 – Provision of online consultation

Konsultat online, veçanërisht ato në video chat, janë një mëyrë alternative e ofrimit të shërbimit psikologjik dhe terapisë. Shumë psikologë preferojnë  kontaktin e drejtpërdrejtë me klientët apo pacientët e tyre kur kërkojnë ndihmë  psikologjike. Sidoqoftë, për të mbrojtur jo vetëm shëndetin tuaj, por edhe atë të atyre që kërkojnë ndihmën tuaj si dhe shoqërinë në tërësi, mund të vlerësohen alternativa të ndryshme të ofrimit të shërbimit psikologjik. Hulumtimet tregojnë se efektiviteti i telekonsultimeve është pak më pak optimale, por shpesh arrijnë të japin efekte të ngjashme me shërbimin tradicional.

 

Diskutoni opsionet  me klientin tuaj (preferohet përmes telefonit), duke shpjeguar arsyet dhe duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për konsultimet në internet tani për tani. Këshillohet që kjo të bëhet vetëm me klientë ose pacientë me të cilët tashmë keni kontaktuar ballë për ballë, kështu që ju e dini se si të ndërhyni në mënyrë optimale edhe në botën reale, në rast të ndonjë emergjence, si p.sh. rreziqe për vetë-dëmtim ose vetëvrasje.

 

Këshilla për konsultat online:  

1.              Sigurohuni që ju dhe klienti juaj të jeni në një hapësirë ​​private dhe nuk mund të shqetësoheni.

2.              Siguroni kohë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve teknike.

3.              Mbështetuni në mjetet profesionale të përshtatura për telekonsultim. Mos u mbështesni në programe si Facebook Messenger, ËhatsApp, Skype ose Telegram. Në rast dyshimi, kontaktoni me Urdhrin e Psikologut  për mjete të përshtatshme komunikimi  (p.sh., Skype për Biznes lejohet në Norvegji, Zoom në Suedi), dhe këshillohuni me rregulloret përkatëse.

4.              Mos e përdorni një kompjuter publik, fikeni atë  pas një seance dhe mbajeni sistemin tuaj operativ dhe/ose aplikacionin të përditësuar.

5.              Në rast se vëreni shkelje të sigurisë në kompjuterin tuaj, informoni klientët, informoni policinë dhe kërkoni ndihmë nga një profesionist i sigurisë IT.

Ndikimi psikologjik i karantinës dhe si ta zvogëloni atë- U.P. (pdf)

Si te jetojme me mire ne karantine. U.P (pdf)