Të dashur miq,

Prej dy vitesh tashmë, nisur edhe nga pozicioni i Presidentit të Urdhrit të Psikologut, jam vënë shpesh nën kritika, por edhe sulme, lidhur me punën e bërë deri më tani apo punën e institucionit në tërësi, vendosjen e rregullave dhe përpjekjet për të bërë ndryshime në bazë të ligjit për përmirësimin e punës së psikologëve në vend.

Ndonëse shpesh jam ndjerë keq, e madje jo pak herë jam mërzitur apo revoltuar për shkak të kritikave vend e pa vend në rrjete sociale nga njerëz që as e kuptojnë dhe as duan të kuptojnë realisht punën që bëhet dhe zbatimin e ligjit, apo nga të tjerë që u janë prishur ujrat e punëve personale dhe cënuar egot, sinqerisht kam mirëpritur dhe mirëkuptuar këto reagime, të cilat i konsideroj normale në një periudhë tranzicioni të profesionit, në një periudhë ku kërkohet të vendosen disa rregulla që nuk kanë funksionuar prej vitesh.

Mirëkuptoj se cdo gjë që nis nga fillimi ka përplasje, keqkuptime, sulme, mërira. Është një stad që duhet kapërcyer detyrimisht në mënyrë që të ecnim përpara.
Në asnjërin prej këtyre kritikave e sulmeve nuk kam reaguar personalisht, duke besuar se reagimi më i mirë është puna që bëhet dhe sinqerisht i jam falenderuese komunitetit të psikologëve që e kanë përkrahur dhe vlerësuar.

Nga sa më sipër, nisur nga një reagim i bërë në rrjetet sociale dhe në faqet zyrtare të Urdhrit të Psikologut nga Znj.Esmeralda Birçaj në dhjetor 2018, ku cënohej integriteti im personal, kalohej në fyerje dhe shpifje për personin tim pa asnjë kriter, kam gjykuar se çështja në fjalë duhej të bëhej objekt gjykimi nga organet përkatëse.

Në dhjetor 2018 kam iniciuar një proces gjyqësor në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, me të akuzuar Znj.Birçaj me objekt gjykimi: “Gjykimi i të akuzuarës për kryerjen e veprës penale të fyerjes dhe shpifjes parashikuar nga neni 119/2, dhe neni 120/2 i Kodit Penal”. Ky proces ka tashmë disa muaj që po vazhdon.

Në vazhdimësi, si në seancat gjyqësore të zhvilluara, në takime me përfaqësuesit e mi ligjorë, si dhe nëpërmjet mesazheve të dërguara në drejtimin tim, Znj.Birçaj ka kërkuar ndjesë për tejkalimin e etikës në komunikim dhe ka shprehur reflektimin e saj për situatën e panevojshme të krijuar.
Duke besuar se tashmë Znj.Birçaj ka kuptuar që deklarimet e saj kapërcejnë plotësisht limitet e edukatës, moralit publik dhe kritikat për shkak të detyrës që unë mbaj, duke kaluar kështu në fyerje personale, kam vendosur që në seancën e rradhës të heq dorë nga ky gjykim dhe të kërkoj pushimin e tij.

Ky veprim nga ana ime i faljes së Znj.Bircaj apo personave të caktuar, që fyejnë, shpifin dhe cënojnë integritetin tim personal, është i pari dhe do të jetë i fundit.

Në vazhdimësi, i bëj me dije kujtdo që përdor rrjetet sociale si kafe lagjesh për të zbrazur barkun nga çdo lloj pakënaqësie personale mbi personin tim, që nuk ka fre kur përbalt punën dhe integritetin tim, kur përmend djemtë dhe familjen time, kur fyen dhe shpif mbi personin tim, se nuk do të tërhiqem në paraqitjen e këtyre çështjeve përpara organeve të drejtësisë.

Çdokush duhet të jetë i qartë dhe i kujdesshëm të kuptojë ku ndahet personi im në cilësinë e Presidetit të U.P., që padyshim mund të kritikohet për punën e bërë, nga integriteti im, dinjiteti dhe cënimi i privatësisë personale apo familjare.

Unë kam shmangur dhe do të vijojë të shmangë çdo replikë në rrjetet sociale, nisur nga parimi im personal se rrjetet sociale nuk janë absolutisht vendi i duhur për të zgjidhur probleme, aq më shumë për psikologët, por do të vazhdoj të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për cdo situatë në shkelje të ligjit që do të paraqitet.

Me besimin se pjesa më e madhe e miqve dhe e trupës së psikologëve e mirëkuptojnë reagimin tim, mbetem me shpresë se edhe një pjesë fare e vogël e atyre që, me dashje apo padashje, kanë krijuar situata të pakëndëshme, do të jenë mendjehapur të kuptojnë se dinjiteti dhe integriteti njerëzor është mbi çdo pozicion pune dhe çdo post që individi mund të mbajë gjatë jetës.

Dr.Valbona Treska
Presidente e Urdhri të Psikologut