Psikologu i Vitit 2023

Lutemi votoni kolegun/en/ët që vlerësoni më shumë gjatë këtij viti. Votimi mbyllet më datë 25.12.2023.

 

1- Znj.Ardiola Bodinaku, Universiteti “Marin Barleti”

Motivacioni: Për kontributin e dhënë në ngritjen e standardeve për monitorimin e aktiviteteve të Edukimit në Vazhdim.

Ngritja e të gjithë sistemit të edukimit në vazhdim për psikologët, ka qenë një sfidë e madhe për Urdhrin e Psikologut dhe specifikisht për Komisionin e Edukimit në Vazhdim. Ekspertët e jashtëm që janë angazhuar rast pas rasti kanë qenë ndihmë jo vetëm në rritjen e standardeve të monitorimit, por edhe atyre profesionale gjatë këtyre aktiviteteve. Znj.Bodinaku ka qenë një ndër ekspertët shembull në këtë proces, që ka lehtësuar jo vetëm punën e KEVP, por edhe të qendrave që kanë ofruar trajnime. Dokumentacioni model i depozituar në U.P. ka ndihmuar gjithashtu psikologët në përftimin pa vonesa të krediteve.

 

2- Arianit Bezhani, Qendra spitalore “Xhaferr Kongoli”, Elbasan

Motivacioni: për kontributin e lartë profesional dhe në zbatim të Kodit Etik të dhënë gjatë të gjithë vitit në shërbim të qytetarëve pranë qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli”, Elbasan.

Z.Bezhani karakterizohet nga dëshirë e lartë për të punuar dhe përditësuar vazhdimisht njohuritë e tij profesionale. Qetësia e tij profesionale është evidente në ndjekjen e dhjetra rasteve gjatë vitit me problematika të ashpra të shëndetit. Puna e tij në heshtje, por me shumë maturi, është frymëzim për të gjithë ne.

 

3- Grupi i Psikologëve të Policisë: Z.Elidon Shehu, Znj.Elisa Velaj, Znj.Mirela Tafa

Motivacioni: Për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në ndryshimin e përshkrimeve të punës së psikologut në polici dhe pozicionimin e këtij profesionisti në shërbim të punonjësve të institucionit.

Pas një pune shumë të gjatë dhe angazhimit shumë frytdhënës me programin EU4LEA u nënshkrua më datë 20.07.2023 marrëveshja e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Urdhrit të Psikologut. Kjo marrëveshje i hapi rrugën edhe ndryshimeve thelbësore të përshkrimeve të punës së psikologut në polici pas rreth 13 vitesh funksionimi. Roli i psikologut në policitë vendore ishte fokusuar gjatë këtyre viteve në asistimin e të miturve në konflikt me ligjin, viktima apo dëshmitarë. Aktualisht pozicioni i çdo psikologu në çdo polici vendore, sikundër në praktikat botërore, është i fokusuar tek vetë punonjësit e policisë dhe mbështetjen që duhet ofruar për vetë organizatën. Të miturit do të asistohen nga psikologë të jashtëm të trajnuar.
Z.Shehu, Znj.Velaj dhe Znj.Tafa kanë dhënë një kontribut të vyer në ndryshimet shumë të rëndësishme profesionale të përshkrimeve të punës. Përshkrimet e reja të punës hynë në fuqi më 03.08.2023 me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

 

  1. Znj.Vera Laci, Spitali Bashkiak, Pukë

Motivacioni: Për përkushtimin, dashurinë për profesionin, mbështetjen e kolëgëve dhe mbi të gjitha për përkrahjen vullnetare të të gjitha nismave sensibilizuese të ndërmarra gjatë këtij viti. Ajo është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë dhe të jetë në krye të aktiviteteve ku promovohet roli i psikologut.

Puna e një kolegeje si Znj.Laci është shembull për t’u ndjekur.