Të nderuar anëtarë,

Urdhri i Psikologut, njofton se ditën e djeshme realizoi disa takime me institucionet kryesore në Qarkun Lezhë, ku krahas Presidentes së Urdhrit të Psikologut, Znj.Valbona Treska, mori pjesë në këto takime edhe koordinatori i Urdhrit të Psikologut për Qarkun Lezhë, Z.Besmir Frroku, të cilin gjejmë rastin ta falenderojmë për punën e palodhur dhe kontributin e dhënë në ndihmë të psikologut në këtë qark.

Takimet e zhvilluara patën në fokus të tyre diskutimin për zgjidhjen e problematikave, me të cilat përballen psikologët, anëtarë të Urdhrit të Psikologut në këtë qark, siç janë: zhvillimi i praktikës profesionale të psikologut, psikologu në sistemin e drejtësisë, apo psikologët të cilët e ushtrojnë profesionin e psikologut pa licencën profesionale, etj.

Urdhri i Psikologut, pati kënaqësinë të ndajë këto problematika dhe njëkohësisht shpreh falenderime e mirënjohje për:

1.Znj.Ornela Naqellari, kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me të cilën diskutuam dhe e informuam, për përfundimin me sukses të trajnimit të dytë të psikologëve në fushën e Drejtësisë për të Mitur, që do të mundësoj çertifikimin e psikologëve, në rolin e asisituesit dhe eksperit vlerësues të të miturit në të gjitha fazat e gjykimit.
2.Znj.Alfrida Dedgjonaj, zv.kryetaren e Bashkisë Lezhë, me të cilën dakordësuam, për mundësimin e zhvillimit të praktikës profesionale, për psikologët me statusin e praktikantit në Qarkun Lezhë, pranë institucionit të Bashkisë Lezhë.
3.Z.Bardhok Pulaj, drejtorin e Drejtorisë Arsimore Lezhë, me të cilin diskutuam për problematikat që hasin psikologët shkollorë, të cilët ushtrojnë profesionin në të gjitha institucionet arsimore.
4.Z.Milan Laska, drejtues i Prokurorisë, Qarku Lezhë, me të cilin diskutuam, për psikologët, të cilët përfunduan me sukses trajnimin e zhvilluar për psikologët në fushën e Drejtësisë, e që do të jenë në cilësinë e asistuesit të të miturit.

Duke falenderuar edhe njëherë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të mësipërme për mikpritjen si dhe koordinatorin e Qarkut Lezhë Z.Besmir Frroku, Urdhri i Psikologut. njofton se do të vijojë realizimin e takimeve në rrethe, për të qenë sa më pranë problematikave të psikologëve në të gjithë vendin dhe për të gjetur sa më parë zgjidhjen e këtyre problematikave.

Urdhri i Psikologut