Historiku 

Menjëherë pas çertifikimit të zgjedhjeve, që në fillim të muajit shkurt 2017, nisi puna për konstituimin e institucionit. Në shkurt 2017 Urdhri u pajis me vulën zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, çka i hapi rrugën zyrtarizimit të marrëdhënieve institucionale. Detyra e parë konsistoi në kërkesën ndaj ministrive të linjës për plotësimin e vendeve me përfaqësues të tyre në Këshillin Kombëtar, në mënyrë që organi të bëhej funksional. Mbledhjet e para jo-formale të Këshillit u realizuan në ambjente private, ndërkohë që nisi puna e ngritjes së selisë së institucionit. Në ndryshim nga të gjithë ligjet e mëparshme për ngritjen e urdhrave të tjerë profesionalë në vend, në të cilat shteti angazhohej të financonte për një apo dy vite institucionet e sapo krijuara, ligji “Për Urdhrin e Psikologut në RSH” nuk parashikonte asnjë ndihmë financiare për krijimin e tij. Zyrat e Urdhrit dhe e gjithë infrastruktura për funksionim u ngritën mbi bazën e kontributit personal, me qëllim plotësimin e nevojave fillestare imediate për funksionimin e tij.